Jo e lehtë, por e mundur!

Gjithmonë kam qenë e mahnitur nga madhështia dhe shkëlqimi marramendës i fustanit te nusërise. Kush do ta kishte menduar që unë do të isha ajo e cila do të bëhej pjesë e vendimeve më të rëndësishme të vajzave të tjera, fustani i tyre i përrallave!
Para se të vendosja të isha pjesë e ciklit Këshillim për Punësim, isha pasive, gjithmonë në shtëpi dhe pa shoqëri. Kisha filluar të isha disi nervoze, pa një punë dhe kisha kaq shumë nevojë të bëhesha e pavarur ekonomikisht. E ndjeja se duhej të bëja diçka me jetën time, por nuk kisha asnjë ide se si duhet të filloja.

Me ciklin e këshillimit të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe ndihmuar nga Projekti “Këshillimi drejt Punësimit dhe Sipërmarrjes” – C4EE, Swisscontact, arrita të jem në gjendje t’i besoj aftësive të mia. Këshilluesi më mësoi si të rris aftësitë e mia personale dhe profesionale. Kështu pak nga pak nisa të rris vetëbesimin duke e shtyrë veten drejt tregut të punës, dhe duke u ndjerë gjithmonë edhe më konfidente drejt suksesit. Rritja e aftësive dhe kërkimi për punë u përmirësua, dhe ndërkohë që gjeja mundësi të ndryshme në qytet, më në fund ia arrita!

Kam qenë gjithmonë e vendosur ti jap një kthesë domethënëse jetës time. Këshillimi për punësim më dha një përvojë pune që shpresoj të zhvillohet edhe më tej gjatë eksperiences time tek Ami Event. Kuptova më të rëndësishmen: kushtet dhe rrethanat e mia nuk më ndaluan që të ndiqja një karriere.

Bëni si unë dhe ndiqni ëndrrat tuaja!