Beso në aftësitë e tua!

Kam mbi 13 vite që ushtroj profesionin e berberit me kohë të plotë i punësuar gjithmonë në biznese të tjera por të paqëndrueshme. Ky është zanati im, ajo cka unë di të bëj më mirë dhe qëllimi gjithmonë ka qenë të kem biznesin tim te vogël ku do ti shërbeja klientëve të mi si i vetëpunësuar. Për të arritur këtë duhet të kisha një mbështetje domethënëse. U bëra pjesë e ciklit të këshillimit pasi dëgjova prej miqsh të cilët kishin kaluar një eksperience të rëndësishme me Ciklin drejt Këshillimit për Punësim dhe Sipërmarrje. Motivimi i lartë më karakterizon dhe vendosa ti dedikohem për të arritur qëllimin tim.

Kuptova që e kisha të nevojshme këtë metodologji për një njohje të thellë të kritereve bazë që më duheshin për tu bërë një sipërmarrës i suksesshëm dhe për të qenë i aftë plotësisht për ta zotëruar mirë biznesin tim. Qasja e këtij cikli përmbante elementët dhe instrumentet e nevojshëm të cilat u përcollën me profesionalizëm nga këshilluesi ynë. Zbulimi i botës së punës më dha një kuptim më të mirë të ekonomisë dhe tregut të punës dhe nëpërmjet planit tim individual të zhvillimit në bashkëpunim me këshilluesin tim unë arrita të kem një vizion konkret për të ardhmen time profesionale. Falë Projektit Këshillim për Punësim dhe Sipërmarrje C4EE Swisscontact më në fund arrita të kem sallonin tim ku ushtroj profesionin shumëvjecar si berber.