Unë jam Sidorela dhe kam pasion për të lexuar. Që e vogël mbaj mend që mëndja ime është mbushur plot me tregime nga librat që kam lexuar në fëmijëri.

Ndonjëherë e gjej veten në një planet paralel të rrethuar nga personazhe që flasin!

Po… duke ëndërruar ditën. Por a nuk është gjë e bukur ta lejojmë mëndjen të lundrojë kohë pas kohe, dhe në këtë mënyrë ne mund të mbajmë shpirtrat tanë më të rinj?

Dita për mua fillon rreth orës 8 kur bëhem gati për të ikur në punë. Nga shtëpia ime kaloj nëpër rrugë të ndryshme të qytetit të Elbasanit deri sa arrij tek biblioteka publike “Qemal Baholli”. Bibliotekë publike?! Po, unë punoj në bibliotekë.

Po si u bë e mundur kjo? Muaj më parë u bëra pjesë e grupit të këshillimit të Projektit C4EE Swisscontact. Këshilluesi im më pyeti për pasionin tim dhe unë u përgjigja – librat. Do të isha kaq me fat nëse mund ta ktheja pasionin tim në realitet dhe në punësim. Mësimet që mora, bënë të mundur përvojën që unë po jetoj tani.

“Qemal Baholli” është biblioteka publike në qytetin e Elbasanit, me një magazinim të madh të dokumenteve dhe gazetave të ruajtura prej më shumë se njëqind vjetësh. Një pjesë e punës sime është të komunikoj me njerëzit dhe të hap kartat e antarësimit. Përpiqem të kem gjithmonë buzëqeshje në fytyrë sidomos kur rekomandoj libra. Jam shumë e lumtur që njerëzit akoma e pëlqejnë aromën e librit të vjetër, dhe shumë e lumtur që Projekti C4EE më dha mundësinë dhe aftësinë për të jetuar ëndrrën time.